Asambleisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Gentrit Murseli, ka akuzuar drejtorin e Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimin, për dezinformim të opinionit publik lidhur me çështjen e lejes për ndërtimin e Bulevardit të Qytetit.
Sipas Murselit, dokumenti i publikuar nga Ibrahimi nuk përbën leje ndërtimore për bulevardin, por vetëm për objektin e Administratës Komunale.
Ai ka kërkuar publikimin e lejes për projektin e bulevardit, duke paralajmëruar se gjatë ditës së nesërme do të kërkojë zyrtarisht qasje në dokumentet publike pranë Drejtorisë së Urbanizmit për të sqaruar këtë çështje.
Shkrimi i plotë:
KUSHTRIM IBRAHIMI PO MASHTRON QYTETARËT E GJILANIT!
Drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan Kushtrim Ibrahimi, përmes postimit të tij të fundit ka dëshmuar se ose nuk është i informuar për çështjen që po mbron, ose po tenton qëllimisht ta dezinformojë opinionin publik.
Në përpjekje për t’i hedhur poshtë pretendimet e mia se ndërtimi i Bulevardit të Qytetit nuk ka leje, ai në fakt vetëm i ka vërtetuar ato.
Dokumenti që ka publikuar nuk është leje për Bulevardin e Qytetit. Ai vërteton vetëm se Komuna posedon leje ndërtimore për objektin e Administratës Komunale me etazhitet “B+P+5”.
Pra, kur qytetarët kërkojnë lejen për bulevardin, drejtori publikon lejen për objektin e Komunës.
Kjo nuk është përgjigje. Kjo është shmangie nga pyetja kryesore!
Nëse ekziston leja për Bulevardin e Qytetit, publikoje. Nëse jo, ndale dezinformimin e opinionit publik.
Nesër, do të kerkoj zyrtartisht qasje në dokumente publike në drejtori të Urbanizmit për këtë çështje.

