Shefi i Grupit të Asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Bujar Nevzati, ka reaguar ndaj publikimit të fundit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike lidhur me projektin e bulevardit të qytetit, duke pretenduar se dokumenti i paraqitur si leje ndërtimore për bulevardin nuk ka të bëjë me atë projekt.
Sipas Nevzatit, fotografitë e publikuara nga drejtori i Shërbimeve Publike nuk paraqesin punime për bulevardin, por ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të objektit të Administratës Komunale.
Ai thekson se edhe leja ndërtimore e publikuar me numër 04520-1 i përket objektit të Administratës Komunale dhe jo projektit të bulevardit apo ndërhyrjeve në park.
“Kjo është lehtësisht e verifikueshme në Geoportal. Numri i lejes 04520-1 është për objektin e Administratës Komunale dhe nuk ka të bëjë me parcelën e bulevardit. Parcela ku ndodhet parku mban numrin 4508-0 dhe për të nuk ka leje ndërtimore”, ka deklaruar Nevzati.
Sipas tij, paraqitja e një lejeje që i përket një projekti tjetër si dokument për realizimin e bulevardit përbën manipulim të opinionit publik.
“Manipulime të tilla nuk do të kalojnë”, ka përfunduar reagimin e tij Shefi i Grupit të PDK-së në Gjilan, Bujar Nevzati./Radio Star/



