Në Gjilan, 28 Nëntori është shënuar edhe me një akt pajtimi, ku gjashtë familje kanë shtrirë dorën e pajtimit, duke zgjedhur mirëkuptimin, faljen dhe bashkimin.
Ky veprim, i realizuar në Ditën e Flamurit, përcjell një mesazh të rëndësishëm njerëzor dhe shoqëror, duke dëshmuar se tradita e pajtimit dhe vlerat e bashkëjetesës vazhdojnë të kenë rëndësi në shoqërinë shqiptare.
Në këtë proces ka kontribuar edhe profesori Emrush Qamili, me përvojën e tij 40-vjeçare në arsim, urtësinë dhe njohjen e brezave të rinj.
Kontributi i tij në këtë nismë është vlerësuar si një angazhim në shërbim të paqes, afrimit dhe ruajtjes së marrëdhënieve njerëzore.
Pajtimi i gjashtë familjeve në këtë ditë simbolike për shqiptarët përçon mesazhin se falja, mirëkuptimi dhe bashkimi janë vlera që duhet të ruhen dhe të përcillen te brezat e ardhshëm.
28 Nëntori, përveç rëndësisë së tij historike e kombëtare, në këtë rast u shënua edhe si ditë e pajtimit dhe e afrimit mes familjeve./Radio Star/










