Trajneri nga Maqedonia e Veriut, Jeton Beqiri, është pranë rikthimit në drejtim të një skuadre në futbollin kosovar, pasi është larguar nga Shkëndija.
Gazeta Olle mëson se Beqiri ka zhvilluar bisedime me drejtuesit e Gjilani, ku palët kanë arritur një marrëveshje parimore për bashkëpunim. Megjithatë, ende nuk është nënshkruar kontrata zyrtare, pasi klubi ka pritur përfundimin e sezonit për të finalizuar vendimin.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se në garë për stolin e Gjilanit kanë qenë edhe emra të tjerë, por Beqiri mbetet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës së njohur si “Skifterat”.
Ndërkohë, Gjilani ka qenë aktiv edhe në merkato, duke siguruar dy përforcime të mëdha: Bleart Tolaj nga Ballkani dhe Marjan Coric nga Llapi.
Zyrtarizimi i mundshëm i Beqirit në krye të skuadrës pritet të bëhet në ditët në vijim, sapo të finalizohen të gjitha detajet mes palëve./Olle/

