SC Gjilani ka reaguar përmes një kumtese zyrtare në lidhje me çështjen e trajnerit të ri, pasi që në mediat elektronike ishte lakuar emri i Sallah Sherifit (drejtorit sportiv) që mund të marrë drejtimin e skuadrës për pjesën e mbetur të kampionatit.
Kuqebardhët kanë konfirmuar Alban Hysenin si shef i shtabit teknik, të paktën deri në gjetjen e një zgjidhje të re për timonierin e ri të ekipit.
“Me anë të kësaj komunikate duam ta informojmë opinionin publik, që pas lajmeve të fundit se drejtori sportiv, Sallah Sherifi, ka marrë drejtimin e skuadrës, nuk qëndrojnë dhe janë të pa vërteta.
SC Gjilani ju njofton se skuadra është në bisedime me disa trajner dhe se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim përfundimtar se kush do ta udhëheqë ekipin në pjesën e mbetur kampionale.Në krye të shtabit teknik të skuadrës mbetet Alban Hyseni, deri në vendimin final të kryesisë së klubit të Gjilanit.
Sport Club Gjilani me anë të mjeteve zyrtare të informimit, do ju njoftoj për zhvillimet e ardhëshme rreth çështjes së kryetrajnerit”, thuhet në komunikatë.
Javën e shkuar SC Gjilani kishte ndarë rrugët me trajnerin Sadat Pajaziti, derisa në duelin e fundjavës ndaj Flamurtarit, ekipin e kishte udhëhequr Alban Hyseni.
Siç mëson Gazetasheshi.com tashmë kuqebardhët shumë shpejtë pritet të vendosin për fatin e trajnerit të ri, i cili mund të jetë nga Shqiperia, pasi që kjo është pista më e përfolur deri më tani.