Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se Inspektorati i ministrisë ka shqiptuar gjobë ndaj një kompanie të përpunimit të betonit në Gjilan, për shkak të funksionimit pa lejen përkatëse mjedisore.
Sipas njoftimit të ministres, gjatë kësaj jave janë ndërmarrë masa edhe ndaj operatorëve të tjerë ekonomikë në Klinë dhe Lipjan, të cilët po ashtu kanë funksionuar pa lejet përkatëse mjedisore.
Kontrollet e inspektoratit kanë përfshirë edhe gurthyes, si dhe operatorë të përpunimit të mishit dhe produkteve të qumështit, me fokus në respektimin e lejeve mjedisore dhe mbrojtjen e ujërave.
Pacolli ka bërë të ditur se inspektimet dhe monitorimi i zbatimit të vendimeve do të vazhdojnë, duke theksuar se aktivitetet në kundërshtim me ligjin nuk do të tolerohen.
Njoftimi i plotë i ministres Fitore Pacolli:
Gjatë kësaj jave, Inspektorati i MMPH-së ka ndërmarrë masa konkrete për mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e ligjit.
Është shqiptuar gjobë ndaj një kompanie që bënë përpunimin e betonit në Gjilan, ndërsa janë obliguar dy kompani në Klinë për ndërprerjen e punës, si dhe një fabrikë në Lipjan. Të gjitha kanë funksionuar pa lejet përkatëse mjedisore.
Kontrollet kanë përfshirë edhe gurthyes dhe operatorë të përpunimit të mishit e produkteve të qumështit, me fokus në respektimin e lejeve mjedisore dhe mbrojtjen e ujërave.
Krahas kësaj inspektorati po i monitoron edhe vendimet që kemi marrë për të parë nga afër zbatimin e tyre. Poashtu, në vazhdimësi po trajtohen edhe ankesat që i pranojmë nga qytetarët.
Ndotja dhe aktivitetet në kundërshtim me ligjin nuk do të tolerohen. Inspektimet dhe masat ligjore do të vazhdojnë.










