Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 40 (katërdhjetë) ditë të pandehurit Th. S.
Ekziston dyshimi se me datë 14 shkurt 2021, në Tiranë Republika e Shqipërisë, tani i dënuari Th. S. (futbollist) në shtëpinë e tyre të përbashkët i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarës E. P., me çka ka kryer veprën penale “dhunë në familje” nga neni 130/A/1 të Kodit Penal të Shqipërisë, për të cilën vepër është gjykuar me 11 muaj e 6 ditë burgim.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Th. S. dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit janë të bazuara.
Sipas, vlerësimit të gjyqtarit në këtë çështje penale dyshimin e bazuar e arsyetojnë të gjithë provat materiale të cilat i janë bashkangjitur urdhër arrestit ndërkombëtar, leja e qëndrimit e lëshuar nga Republikës e Kosovës, dokumentacioni lidhur me identifikimin e të dënuarit, gjithashtu duke pasur parasysh faktin se në rastin konkret i dënuari mund të arratiset meqë i njëjti fillimisht është arratisur nga shteti ku e ka kryer veprën penale dhe se i njëjti pas arratisjes nga Shqipëria është vendosur në Kosovë, ku me datë 17 tetor 2022 ka marr leje qëndrim me vendbanim në Prishtinë dhe nga shkresat e lëndës i njëjti ka shtetësi të Nigerisë, rrethana këto të mjaftueshme se po të gjendet në liri mund të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, thuhet në njoftim.