Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim për lirim me kusht të Nasim Haradinajt.
Për marrjen e vendimit, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, është këshilluar me gjykatësit e paneleve që kanë dhënë dënimin për Haradinajn dhe është marrë parasysh edhe raporti lidhur me sjelljen e Haradinajt gjatë kohës në paraburgim.
“Për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe seancën që mbajti me z. Haradinaj. Gjithashtu, sikurse u përcaktua në vendimin e saj të mëparshëm të 12 tetorit 2023 lidhur me uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimit të z. Haradinaj, Kryetarja mori parasysh edhe raportin e dorëzuar nga Administratorja në lidhje me sjelljen e z. Haradinaj në objektin e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e DHSK-së.
Tutje theksohet se është konstatuar se Haradinaj ka pasur mundësi të reflektonte për veprimet e veta dhe se Trendafilova “mori parasysh pendesën e z. Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”.
“Kryetarja mori parasysh se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij. Konkretisht, Kryetarja konstatoi se z. Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit. Gjithashtu, Kryetarja mori parasysh pendesën e z. Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”, bëhet e ditur në njoftim.
Trendafilova po ashtu ka potencuar se nëse Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet.
Më 18 maj të vitit të kaluar, Haradinaj ishte dënuar me katër vjet e gjysmë burgim për pengim të administrimit të drejtësisë, dhe me një gjobë prej 100 eurosh.
Në dënim ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga viti 2020.