Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur të paligjshëm dhe e ka shfuqizuar paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ (Ministria e Punëve të Brendshme) Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes, i cili përcaktonte se patentë-shoferi mund të tërhiqet nga pala, vetëm pas përfundimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit.
Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen juridike të konfliktit administrativ, duke vendosur sipas padisë së 28 paditësve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme – Policisë së Kosovës, ka aprovuar pjesërisht si të themeltë kërkesëpadinë për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se marrja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjetit janë dy institute të ndryshme juridike, të cilat nuk duhet të ngatërrohen në zbatimin e tyre.
Duke iu referuar nenit 244 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, Gjykata ka konstatuar se mbajtja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë. Për rrjedhojë, kushtëzimi i tërheqjes së dokumentit me përfundimin e masës mbrojtëse, e cila mund të zgjasë tre, gjashtë apo dymbëdhjetë muaj, është në kundërshtim me ligjin.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, një akt nënligjor nuk mund të zgjerojë kompetencat e përcaktuara me ligj dhe as të vendosë kufizime shtesë që nuk kanë bazë ligjore.
Gjykata ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 17 të këtij Udhëzimi Administrativ duke vlerësuar se këto dispozita kanë karakter procedural dhe organizativ, pasi përcaktojnë njësinë policore përgjegjëse për administrimin e dokumentit dhe detyrimin për lëshimin e vërtetimit për marrjen e përkohshme të patentë-shoferit, pa tejkaluar autorizimet e përcaktuara me ligj.
Linku i aktgjykimit: https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP__29_2026_SQ.pdf
Linku i komunikatës: https://supreme.gjyqesori-rks.org/2026/10/30/gjykata-supreme-shfuqizon-dispoziten-per-mbajtjen-e-patente-shoferit-deri-ne-perfundimin-e-mases-mbrojtese/










