Një grabitje e organizuar dhe e mirëplanifikuar ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 21 majit në Qendrën Tregtare “JUMBO” në Gjilan, ku persona të maskuar kanë hyrë me forcë dhe kanë marrë mijëra euro nga kasaforta e lokalit, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është zbuluar rreth orës 08:20, kur Policia është njoftuar përmes telefonit për vjedhjen që kishte ndodhur disa orë më herët në rrugën “Lidhja e Prizrenit”.
Sipas menaxheres së lokalit, nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet se rreth orës 03:05 tre persona të maskuar kanë depërtuar në lokal dhe me mjete të forta, dara dhe çekiç, kanë demoluar derën metalike mbrojtëse të kasafortës dhe më pas edhe vetë sefin që ndodhej brenda.
Nga aty dyshohet se janë marrë rreth 12 mijë euro para të gatshme.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet patrulluese, hetimet rajonale dhe krimteknika, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe kanë siguruar provat materiale.
Me urdhër të Prokurores kujdestare, rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë” dhe hetimet i janë deleguar Sektorit Rajonal të Hetimeve në Gjilan.
Autorët ende nuk janë identifikuar.

