Albian Hajdari nuk do të jetë në dispozicion të Kosovës për ndeshjen e sotme ndaj Austrisë, pasi nuk ka arritur të rikuperohet në kohë nga lëndimi i pësuar në përballjen me Irlandën.
Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se, pavarësisht punës intensive të stafit mjekësor gjatë ditëve të fundit dhe dëshirës së vetë lojtarit për të qenë në fushë, koha në dispozicion nuk ka qenë e mjaftueshme për rikuperimin e tij.
“Edhe vetë futbollisti ka shprehur dëshirën e madhe për të qenë në fushë dhe për ta ndihmuar ekipin në këtë përballje të rëndësishme, por pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai nuk mund të aktivizohet. Hajdari do të vazhdojë të jetë nën përkujdesjen e stafit mjekësor të Kombëtares, me fokus në rikuperimin e plotë të tij”, thotë FFK.










