Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që institucionet të mos bëjnë eksperimente me planin e propozuar nga evropianët.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se për dy vjet në krye të Qeverisë, Albin Kurti ka qenë në “luftë” me shumë kategori në vend e me faktorin ndërkombëtar.
Kreu i AAK-së ka përmendur edhe ndalesën e zyrtarëve shtetërorë për të udhëtuar në SHBA.
“Jemi në dy vitet e qeverisjes Kurti, që sipas meje ishte në luftë me të gjithë, por që përfundoi në luftë me vetveten. Kurti fillimisht u shpalli luftë kategorisë së lirisë, punëtorëve të sektorit publik, të gjithë sipërmarrësve duke i ndalë investimet kapitale. Rezultat i kësaj qeverie jo vetëm që është lodhë, por ka filluar t’i lodhë edhe aleatët tanë më të mirë, të cilët për një vit nuk pranojnë asnjë zyrtarë të kësaj Qeverie për të udhëtuar në SHBA”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka kërkuar që institucionet të mos bëjnë eksperimente me planin e propozuar nga evropianët, shkruan EO.
“Situata është serioze dhe Qeveria nuk duhet të bëjë eksperimente për të implementuar planin franko-gjerman. Ne e ndajmë për qeverisjen Kurti, vlerësimin tonë si mashtrues”, shtoi Haradinaj.