Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është duke mbajtur konferencën për media lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku u rrëzua Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Haxhiu tha para mediave se ndryshimet janë bërë në përputhje me standardet nderkombëtare, raporton Gazeta Sinjali.
“Siç jeni ne dijeni me 14 shkurt 2021 zotimet tona kanë qenë punë dhe drejtësi. Kemi ndërrmarë reforma të thella në reformimin e Ministrisë. Këto ndryshime janë bërë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ne, nuk kemi punuar kryevete por kemi respektuar komisionin e Venecias”, tha ajo para gazetarëve.
Ministrja e Drejtësisë Haxhiu shtoi se nuk kanë pranuar ende aktgjykimin e Kushteuteses.
Haxhiu ka thënë se për Kushtetuesen” më e rëndësishme ka qenë interesi individual i ndonjë anëtari të KPK-së sesa interesimi i përgjithshëm e ndalja e korporatizmit”.
“Është paradoksale se në pikën e parë të njoftimit, Kushtetuesja konstaton se përbërja aktuale e KPK-së është korporatiste, por në pikën e fundit thotë se nuk mund t’i ndërpritet mandati anëtarëve përmes shortit siç e kemi paraparë ne. Për Kushtetuesen më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së, dhe jo të gjithëve, por vetëm disa prej tyre, sesa interesi i përgjithshëm, sesa ndalimi i korporatizmit në një institucion të rëndësishëm për qytetarët, për vetë sistemin e drejtësisë në përgjithësi”, ka thënë ajo në konferencë për shtyp të shtunën.
Befasi e ka cilësuar edhe pikën që thuhet se delegimi i një anëtari joprokuror nga Avokati i Popullit është jokushtetues, sipas saj.
“Delegimi i një anëtari joprokuror nga Avokati i Popullit është gjetur si jokushtetues. Kjo është tërësisht befasuese për ne. Komisioni i Venencias ka sugjeruar që një numër i caktuar i anëtarëve joprokurorë mund të rezervohen për institucionet e jashtme të pavarura, dhe ka përmendur në veçanti Avokatin e Popullit”, ka shtuar Haxhiu.
Sipas Haxhiu, e habitshme del fakti sesi Kushtetuesja e ka përmendur se përzgjedhja e anëtarit nga Avokati i Popullit është anti-kushtetues.
“Ne kemi dashur reformimi Këshillit Prokurorial të Kosovës për të eliminuar grupet e interesit dhe ato të korporatizimit. Për të mundësuar një përbërje të re të Këshillit, në mënyre që të sigurohemi se Kryeprokurori punon në mënyrë të panashme”, ka thënë Haxhiu.
“Asesi nuk mund të pranojmë që në petkun e pavarësisë së drejtësisë të bëhet korporatrizimi. Ne nuk e kemi pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por deshëm të ju njoftojmë edhe juve për pikëpamjet dhe argumentet tona lidhur me këto të gjetura”, shtoi ajo.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.
Sipas një njoftimi për media të premten, kjo gjykatë ka bërë të ditur, se pas vlerësimit të ligjit bazuar në kërkesat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Me ndryshimet në Ligjin për KPK-në, ndërrohej mënyra e funksionimit të Këshillit Prokurorial por edhe përbërja e këtij këshilli.
Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.Duke numëruar konstatimet për mospërputhshmëri me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka vendosur që “të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”.
Palët që kishin parashtruar kërkesën ishin ankuar edhe se ndryshimi i përbërjes zvogëlon proporcionin në mes të anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë, e, sipas pretendimeve, vendimmarrja e një institucioni të pavarur kushtetues do të nënshtrohej ndaj vullnetit politik të shumicës në Kuvend, që do t’i zgjidhte anëtarët joprokurorë të Këshillit.
Në Ligjin e kontestuar, KPK-ja parashihej të përbëhej nga shtatë anëtarë, përfshirë Kryeprokurorin, dhe tre anëtarë prokurorë të përzgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre joprokurorë. Në të kaluarën KPK-ja përbëhej nga nëntë anëtarë prokurorë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre anëtarë joprokurorë të përzgjedhur nga Kuvendi, sipas propozimeve të Odës së Avokatëve dhe Fakulteteve Juridike dhe konkursit publik.
Megjithatë, Gjykata ka konstatuar se përbërja, proporcioni në mes të anëtarëve prokurorë të përzgjedhur dhe joprokurorë, me garancitë për të shmangur “politizimin”, ky ligj s’ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
Kushtetuesja ka thënë po ashtu se përzgjedhja e anëtarëve joprokurorë me shumicë të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë në Kuvend, s’është në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata ka sqaruar që kompetenca e Avokatit të Popullit për të zgjedhur anëtarë joprokurorë të KPK-së s’është në përputhje me Kushtetutën.
Ky ligj ka paraparë po ashtu që vendimmarrja të bëhet me pesë vota nga shtatë anëtarët, me kushtin që në shumicë të jetë të paktën një votë e një anëtari joprokuror. Kjo, sipas Kushtetueses, s’është në përputhje me pavarësinë kushtetuese. Në aktgjykim thuhet se “vendimmarrja në KPK, do të mund të kushtëzohej nga vota e njërit nga anëtarët joprokurorë të zgjedhur nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë”.
Gjykata ka arsyetuar shpalljen e pavlefshme të ligjit me “vështirësitë e zbatimit të tij”.
/GazetaSinjali/