Kuvendi komunal i Gjilanit dje i dha përkrahje të plotë kërkesës së këshilltarit komunal, Burim Berisha (LDK), të cilën e kishte ngritur si nismë edhe këshilltari Nehat Osmani (VV) për miratimin e një pakoje të ndihmës për bizneset, duke e marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike në gjithë Kosovën.
Këtë nismë e ka përkrahur edhe i pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili përmes një statusi në facebook, i ka falenderuar kuvendarët, të cilët në formë unanime, pozitë-opozitë, miratuan pakon e masave lehtësuese për bizneset.
Postimi i plotë:
Në Gjilan situata është pak më ndryshe. Dallimet politike kemi ditur gjithmonë t’i shkrijmë kur ka qenë interesi madhor. I falënderoj kuvendarët, të cilët në formë unanime, pozitë-opozitë, miratuan pakon e masave lehtësuese për bizneset, pas gjendjes së rënduar si pasojë e pandemisë #COVID19.
Pakoja ka të bëjë me lirimin nga pagesa për këtë vit të të gjitha bizneseve që kanë në shfrytëzim hapësira komunale dhe që i përdorin ato për nevoja biznesore, lirimin nga pagesa për pranim teknik të lokalit për bizneset e reja si dhe lirimin nga pagesa e qirasë mujore për vitin 2021 të bizneseve që shfrytëzojnë lokale në pronësi komunale, përfshirë edhe banesat.