Politikanëve iu vjen momenti që duhet të sjellin vendime të vështira dhe ajo kohë po vjen për Kosovën. Në këtë rrafsh përparësia e delegacionit tonë në tavolinën e dialogut është e madhe dhe nuk ka nevojë të mbrohemi, por nuk kemi nevojë as të shtrojmë frikë tek njerëzit, brenda dhe jashtë Kosovës se ‘Serbia do të mund nesër të zbarkojë në territor të Kosovës me forca ushtarake apo policore’.
Kosova e ka një garancion, NATO-n, duke përfshirë edhe kapacitetet tona që janë duke u ndërtuar dhe këto e bëjnë të qartë që nuk po kërcënon lufta, por po kërkohet dialogu, po kërkohet zgjidhja.
Duhet të demonstrohet që Kosova e 17 shkurtit 2008 është Republikë parlamentare, e cila garanton siguri dhe paqe për fqinjët, siguron demokraci dhe zhvillim për popullin e saj pavarësisht etnisë dhe argumentin më të fortë që e kemi pasur është që ne nuk jemi dhe nuk do të jemi kërcënim për askënd.
Deri tani, kjo qeveri deklarativisht ka një mal me fjalë, por në veprim kemi hezitime dhe kemi politikën e një hapi para e dy mbrapa. Pra, nuk ka progres drejt arritjes së atyre synimeve e premtimeve që i kanë dhënë.
Fatkeqësisht, edhe në rrafshin e brendshëm e edhe atë të jashtëm kjo qeveri ka treguar mungesë të lidershipit, mungesë të guximit politik për t’i zgjidhur problemet. Tash e 1 vit e gjysmë, nuk kemi qeverisje, por administrim. Është e papranueshme që VV e riktheu administrimin që e kemi lënë pas më 17 shkurt 2008 dhe Kosova po vuan nga kjo mënyrë e udhëheqjes.