Inflacioni mesatar në dhjetor 2022 arriti në 12%, por për disa mallra dhe shërbime elementare, ku shpenzohet shumica e buxhetit familjar, arriti në 47 për qind, ka deklaruar ish kryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti.
Përmes një statusi në Fcebook, deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka shkruar se inflacioni ka arritur në 47% për shpenzime të transportit, 39% për lëndë djegëse e 31% për vajra dhe yndyra, raporton teve1.info
“Çfarë bënë vendet e tjera për të ulur barrën për qytetarë?
– disa i rritën pagat për normën e inflacionit,
– disa i ulën ngarkesat tatimore,
– disa i ndihmuan qytetarët pa përjashtim në përballimin e kostos së jetesës,
– në veçanti subvencionuan çmimin e gazit dhe naftës, çmimet e të cilave u rritën më së shumti dhe ndikuan në rritjen e të gjitha çmimeve të tjera”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, në Kosovë masa substanciale nuk shihen askund, me përjashtim të shtesave në pensione dhe asistencë që janë të përkohshme.
“Tatimi në Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe akciza nuk u ulën, jo se nuk ishte e përballueshme për buxhetin, por për shkak se ishte propozuar opozita (nga LDK-ja). Si rezultat i inflacionit, shteti inkasoi shumë më tepër të hyra, të cilat nuk i shpenzoi dhe, si rezultat, ato u zhvlerësuan së paku për 12%”, ka shkruar Hoti.