Nën kryesimin e Zëvendëskomandantit të misionit të KFOR-it, gjeneralbrigade Federico Collina, në Kampin Novo Sellë është mbajtur ceremonia zyrtare e Ndërrimit të Komandës së Batalionit Taktik Rezervë të KFOR-it (KTRBN).
Gjatë kësaj ceremonie, nënkoloneli Botond Hetényi i dorëzoi zyrtarisht komandën e batalionit nënkolonelit Tibor Dancs, duke përmbyllur kështu me sukses misionin e tij në Kosovë.
Në ngjarje morën pjesë edhe personalitete të larta diplomatike, përfshirë ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux, si dhe shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Kosovë, Andrei Stănescu.
Gjatë fjalës së tij, gjeneral Collina vlerësoi lart përkushtimin dhe punën e nënkolonelit Hetényi, duke e falënderuar për profesionalizmin dhe udhëheqjen e treguar në ruajtjen e gatishmërisë operative, kohezionit dhe nivelit të lartë të stërvitjes së trupave, njofton KFOR.
Teksa i uroi mirëseardhje komandantit të ri, nënkolonelit Dancs, gjenerali Collina rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të misionit të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë.










