Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka prezantuar projektet që aktualisht janë në realizim në pjesë të ndryshme të komunës, duke theksuar se investimet po shtrihen nga qendra e qytetit deri në lagje dhe fshatra.
Në një vizitë në terren, Hyseni, së bashku me ekipin e tij, ka parë nga afër punimet në disa prej projekteve që janë në proces, përfshirë Bulevardin, Stadiumin e Qytetit, Shkollën e Mjekësisë, Sallën e Sporteve, Stacionin e Autobusëve, renovimin e banesave të vjetra, Lagjen 8 dhe Fidanishten, si dhe projektet në Bresalc e Zhegoc.
Hyseni ka thënë se këto projekte janë pjesë e një angazhimi për zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e hapësirave publike në të gjithë territorin e Komunës së Gjilanit.
“Nga qendra në çdo lagje e fshat, ky është ritmi i ri i Gjilanit”, ka deklaruar Hyseni, duke shtuar se projektet po realizohen me intensitet të lartë.
Sipas tij, vizitat në terren do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim që të prezantohen edhe projektet e tjera që janë aktualisht në realizim./Radio Star/










