Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në një takim pune përfaqësuesit e Universiteti Kadri Zeka, ku është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj arsimit të lartë në qytet. Gjatë këtij takimi, Komuna ka zyrtarizuar edhe një mbështetje konkrete për universitetin përmes dorëzimit të 32 tabletave, të cilat do të shërbejnë për lehtësimin e proceseve mësimore dhe kërkimore.
“Sot e nisëm ditën me një takim pune me përfaqësuesit e Universitetit Kadri Zeka në Gjilan. Gjatë këtij takimi, kemi zyrtarizuar mbështetjen tonë të radhës përmes dorëzimit të 32 tabletave për nevojat e këtij institucioni. Këto pajisje teknologjike janë huazuar nga Komuna për një afat të pacaktuar, me qëllim që të lehtësojnë punën kërkimore dhe proceset mësimore për stafin dhe studentët. Ky investim është pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm për digjitalizimin e institucioneve dhe krijimin e kushteve sa më moderne për studime. Universiteti Kadri Zeka është një aset i rëndësishëm i Gjilanit dhe ne do të vazhdojmë të jemi partnerë në rrugëtimin e tyre drejt ngritjes së cilësisë akademike”, ka shkruar Alban Hyseni.

