Një ngjarje tragjike ndodhi mbrëmë në familjen Hamiti në Prishtinë. Familjari i tyre, Arsim Hamiti u ther për vdekje me thikë rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë, shktuan GazetaExpress.
Fatkeqësisht 41-vjeçari nuk arriti të mbijetojë dhe u dërgua në Emergjencë pa shenja jete, ku u konfirmua vdekja e tij.
Policia e Kosovës tashmë ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona të dyshuar lidhur me këtë rast.
Përveç Policisë, lajmin për vdekjen e tij e kanë dhënë edhe familjarët në rrjetet sociale, ku kanë shkruar fjalë prekëse për të ndjerin.
“Nuk do ta besoja asnjëherë që do ik kaq shpejt, kishim shumë plane vëlla Arsim, por të pashpirtët ta morën jetën. Qofsh i parajsës Cimo…”, ka shkruar motra, teksa edhe vëllezërit e tij janë shprehur të pikëlluar.
Arrestimi i të dyshuarve
Dy 26-vjeçarë janë kapur nga Policia, me ç’rast është sekuestruar edhe thika që dyshohet se u përdor.
“Sot (13.02.2023) rreth orës 01.:30, nga njësiti i hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale vrasje, që ka ndodhë me datën 12.02.2023, në rrugën “Pjetër Budi”, në Fushë Kosovë.
A.M, mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe L.B, mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës si dhe sekuestuarimin e një arme të ftohtë (thikë),që dyshohet të jenë përdorë në rast. Pas intervistimit, personat e arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, njofton Policia.
Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:40, kur viktima u sulmua me thikë dhe pësoi lëndime të rënda trupore. Ai u gjet i shtrirë në tokë nga Policia dhe më pas u dërgua menjëherë në Emergjencë. Në spital vetëm u konstatua vdekja e tij, kurse trupi i pajetë u tërhoq për t’u dërguar në IML për obduksion.