Tekniku shqiptar Ilir Daja është larguar zyrtarisht nga drejtimi i ekipit të Ballkanit.
Lajmin e ka bërë me dije vetë klubi nga Suhareka, i cili përmes një publikimi në media sociale, ka falënderuar Dajën për punën në krye të ekipit në dy vjet e gjysmë dhe sukseseve të mëdha që kanë pasur si në Kosovë, ashtu edhe në Evropë.
Në mesazhin e lamtumirës për teknikun Daja shkruhet:
Faleminderit Ilir Daja!
Për mbi dy vjet e gjysëm kemi rrugëtuar bashkë, me shumë punë, suksese, shumë trofe e përjetime të mëdha.
Tifozë të dashur, pavarësisht se në vazhdimësi kemi qenë të dakorduar për të vazhduar edhe më tej bashkë, tashmë ish-timonjeri ynë ka konsideruar se nuk ka më shumë çfarë të jap për klubin tonë.
FC Ballkani është klub i madh dhe duke qenë i tillë, do ta bëj zgjidhjen e duhur edhe në krye të shtabit teknik, gjithmonë me të njejtat ambicie e objektiva, në ndjekje të çdo trofeu.
Kurse ecuria e Ballkanit me trajnerin Daja në krye të skuadrës, do të mbetet etapë shumë e rëndësishme e historisë tonë.
Faleminderit kampion!
Teksa, zyrtarizimi i Dajës në krye të stolit të ekipit kryeqytetas, Dinamo City, duket tashmë thjesht një formalitet.