Ilir Kërçeli, ish-këshilltari i Glauk Konjufcës e tash deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar se Konjufca ka biseduar me Gani Gecin për votën e Marigona Gecit.
Geci ka deklaruar sot se Konjufca e ka kontaktuar atë një ditë para seancës së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës për të ndikuar që vajza e tij, deputetja e LDK-së Marigona Geci, të votojë në favor të qeverisë së Albin Kurtit.
Ai shtoi se e vetmja kërkesë e tij ka qenë që kryeministri Albin Kurti t’i përgjigjej një letre të shkruar nga vëllai i tij, Halil Geci, më 9 tetor 2024, dhe të kërkonte falje publike.
Deklarimeve të Gecit iu përgjigj deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli, ish-këshilltar i Konjufcës, i cili e konfirmoi telefonatën.
Sipas Kërçelit, Glauk Konjufca nuk ka përdorur një gjuhë të tillë dhe thjesht e ka kontaktuar Gecin për të ndihmuar në zhbllokimin e punës së Kuvendit.
Kërçeli ka treguar se telefonata e Konjufcës me Gecin ka ndodhur përmes disa personave të tjerë.
“Glauku nuk flet me atë gjuhë: ‘çfarë po kërkon’. Thjesht e ka pyetur për ta zhbllokuar Kuvendin… I keni parë para kësaj bisede disa belara të Gani Gecit, që ne nuk kemi votë për PDK, më përpara kemi votë për VV-në. Kjo mund të lexohet si gatishmëri nga kjo bllokadë. Ju e njihmi zotin Konjufca, nuk flet me këtë gjuhë se ‘çfarë po kërkon’…”, ka thënë Kërçeli në Debat Plus.
Pasi dëgjoi deklaratën e Kërçelit, Gani Geci reagoi sërish, duket thënë se po gënjen.
“Ai është tu rrejt. Thuaj ta qes incizimin e tani të ndale filikaqi”, ka thënë Geci.