Ilir Tahiri ka publikuar një mesazh bashkimi, duke shprehur shqetësimin për ndikimin që përçarjet politike kanë pasur në raportet shoqërore dhe miqësore mes njerëzve.
Përmes një postimi, Tahiri ka rikujtuar se dallimet politike nuk duhet të shndërrohen në arsye për prishjen e miqësive, ftohjen e raporteve apo humbjen e njerëzillëkut.
Ai ka sjellë në vëmendje edhe një rast të dhimbshëm të vdekjes së një shoku, me të cilin, për shkak të dallimeve në bindje politike, raportet kishin mbetur të ftohta.
Në reagimin e tij, Tahiri ka shprehur keqardhje për faktin se njerëzit po arrijnë deri në atë pikë sa edhe ngushëllimet po e humbin ngrohtësinë e dikurshme për shkak të ndarjeve politike.
Ky është postimi i plotë i Ilir Tahirit:
“Aq shumë na kanë shkatërru shpirtërisht partitë, sa që kur po ikin (vdesin) shokët, po ndihemi keq edhe me iu shkru ngushëllime. Po vijmë në një moment që po i themi vetes: Pse e kemi kthy kryet në anën tjetër kur i kemi pa disa miq që për shkak të partive jemi nda? Edhe ngushëllimit ia kemi humb vlerën.
Shoqnia jonë përnime osht në krizë të thellë morale (njerzillëku).
Sot paska vdek ni shok i joni, me të cilin kemi qëndru ftoftë për arsye shumë banale. Veç pse ai ka fillu me mendu ndryshe ose na nuk kemi mrri me kuptu. Nesër kena me shku në varrimin e tij, me kryet teposhtë, edhe prej dhimbjes, ama edhe me marre. Që kemi fol ‘keq’ për njani-tjetrin, se partitë na kanë ‘mësu’ me i pa mendimet ndryshe si mendime armiqësore.
Tash, qysh kena me i thonë lamtumirë shokut, dikujt që dje, kur e kemi pa, s’jemi përshëndetë ngrohët qysh jemi përshëndetë kur jemi kanë bashkë?”










