Ju faleminderit krejt juve që më keni ndihmuar në fushatën time në këto javë. Kam parë shumë njerëz. E kam parë vullnetin tuaj. Djem punëtorë, vajza të guximshme, të rinj që duan ndryshime e të moshuar të gatshëm për të kontribuar akoma për Kosovën.
Jam mahnitur me punën tuaj në shërbim të fushatës sime. Pa juve nuk do të mund ta bëja fushatën, takimet në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo cep të Anamoravës dhe kudo në Kosovë. Ju keni qenë frymëzimi im se Kosova mund të bëhet një vend më i mirë.
Falënderoj edhe të gjithë ato familje që hapën dyert e shtëpive dhe odave të tyre për takimet që kam mbajtur. Taman familje mikpritëse shqiptare. Falënderoj qytetarët që kam takuar nëpër tubime e në rrugë, të cilët me shumë vëmendje kanë dëgjuar zotimet e mija të sinqerta.
Këto zotime janë rezultat i asaj qe kam parë duke u rritur. Jam rritur në mesin e njerëzve të thjeshtë dhe i di hallet e tyre. E kuptoj çdo shqetësim tuajin dhe ua jap besën që gjithë ato shqetësime do t’i adresoj si deputet i juaj.
Ju e dini që zotimet e mija janë të sinqerta. Ju e dini që në politikë nuk jam futur as për para e as për privilegje. Po futem në politikë për t’u bërë zëri juaj, hallet e të cilëve nuk janë dëgjuar sa duhet.
Unë jam në politikë si zëri i fuqishëm i të rinjve që duan të jetojnë dhe punojnë këtu, në atdheun tonë. Unë jam në politikë si zëri i fuqishëm i familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së.
Ju e dini që unë jam njëri nga ju, kemi pirë kafe çdo ditë, kemi qenë në shkollë së bashku, kemi punuar së bashku. Ju e dini që premtimet e mija nuk janë megallomane. Janë premtime të sinqerta të një djali të shtresës së mesme që do t’i përfaqësojë interesat tuaja.
Prandaj, unë e di se më 14 shkurt ju do të votoni numrin 134, do të votoni PDK-në.
Unë e di se më 14 shkurt ju do të votoni numrin 29 brenda listës së PDK-së, do të votoni numrin tim si kandidat për deputet.
Unë e di se ju më besoni mua dhe unë zotohem se nuk do t’ju zhgënjej. Hallet tuaja janë hallet e mija dhe ëndrrat tuaja janë ëndrrat e mija.
Së bashku do të fitojmë!
Së bashku do të dalim faqebardhë!
I juaji,
falënderues dhe i nderuar,
Ilir Tahiri