Kohëve të fundit një virus i njohur si Lia e Majmunëve, e ka vënë botën në alarm.
Kjo pasi që, e gjitha bota ende po përballet me pasojat që u shkaktuan nga pandemia Covid -19. Pasoja të cilat shkaktuan vdekje të shumta rreth globit, por edhe dëme të mëdha ekonomike tek shtetet për shkak të izolimit të vendeve, diçka që ishte i domosdoshëm të vihet në zbatim.
Lija e Majmunëve, është një virus i cili shkakton simptoma të etheve duke shfaqur edhe gunga në trup, virus i cili gjendet kryesisht në Afrikë. Megjithatë disa raste tani janë shfaqur edhe në Evropë, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe pjesë të tjera të botës.
Shemsedin Dreshajn, infektolog, tha se Kosova rrezikohet që preket nga virusi i ri, pasi që në jetojmë në periudhën e globalizimit, por sa i përket rrezikut për jetën e njerëzve, Dreshaj, tha se nuk sheh rrezik.
“Kosova është e rrezikuar, tash jemi në periudhën e globalizimit. Por unë nuk parashoh ndonjë rrezik të madh pasi sëmundja ka ecuri relativisht të lehtë”, tha infektologu Dreshaj për lajmi. net.
Sa i përket mundësisë së një izolimi të ri si në rastin e Covid-19 dhe shpërndarjes së virusit tek njerëzit, Dreshaj tha se, nuk mendon se do të ketë izolim. Ndërsa për shpërndarjen tha se një nga mënyrat e shpërndarjes është përmes kontaktit.
Është edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ajo që ka reaguar rreth këtij virusi.
OBSH ka paralajmëruar se për mund të ketë rritje të rasteve me virusin e rrallë. Kjo për shkak organizimit më të madh të festave në muajt e verës.
“Teksa hyjmë në periudhën e verës në rajonin evropian, me festa masive, festivale dhe ndenja të ndryshme, jam i shqetësuar se përhapja për mund të rritet ndonëse rastet e identifikuara tani janë në mesin e atyre që janë përfshirë në aktivitet seksual dhe simptomat janë të panjohura për shumë njerëz”, ka thënë drejtori i OBSH-ë për Evropën, Hans Kluge përmes një deklarate.
Megjithatë, edhe pse rastet mund të rriten, shkencëtarët nuk presin një përhapje të këtij virusi, siç kemi pasur rastin e Covi-19. Kjo për arsyen se, virusi- Lija e Majmunëve nuk përhapet lehtë sikurse Covid-19.
Pavarësisht kësaj, OBSH ka thënë se rastet e fundit janë të pazakonshme, sepse pothuajse të gjithë individët e prekur nga virusi, nuk kanë pasur histori të udhëtimit në zonat ku lia e majmunëve është endemike, por edhe për shkakun se rastet janë duke u identifikuar tek burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra.