Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës thotë se po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike me ethet hemorragjike krime-kongo në të gjitha vatrat e infeksionit dhe bashkë me mjekët dhe punëtorët shëndetësorë të QKMF’ve në Malishevë, Rahovec, Klinë, Suharekë, Gjakovë edhe sivjet do të vazhdojnë mbikëqyrjen dhe hulumtimin epidemiologjik të të gjitha vatrave, përfshirë këtu edhe vatrat endemike të komunave fqinje Lipjan, Drenas, Skenderaj, Prizren, Dragash.
IKSHP bën me dije se tashmë është në gjendje gatishmërie për të ndërmarrë masat profilaktike dhe kundërepidemike për të parandaluar epideminë e EHCC të planifikuara me kohë dhe të përfshira në Planin Operacional për parandalimin dhe luftimin e Etheve hemorragjike krime kongo në Kosovë.
“Edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, qytetarëve u bëhet apel që edhe më tutje të vazhdojnë të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë pasi që tashmë temperaturat kanë filluar të ngrihen dhe rriqrat kanë filluar të dalin në sipërfaqe të tokës”, thuhet në njoftim.
“Laboratorët e Institutit Kombëtar janë të përgatitura dhe të gatshme për diagnostikimin e të gjitha rasteve të dyshimta në EHKK, ndërkohë që IKSHP ka dalë me këshilla për ruajtjen e qytetarëve nga rriqrat”, thuhet më tej.
1. Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,
2. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,
3. Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),
4. Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,
5. Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,
6. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,
7. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),
8. Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,
9. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë,
IKSHP iu bën thirrje qytetarëve të punojnë në faktorët e përmirësimit të ekosistemit që nënkupton:
1. Të punohen të gjitha tokat e punueshme,
2. Të kositen të gjitha livadhet me kohë dhe nga disa herë,
3. Të pastrohen kopshtet dhe pronat për rreth shtëpive,
4. Të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve,
5. Të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë ku kurrsesi nuk guxohet të lihen këmbët e zbathura
6. Fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pakositura dhe në mbrëmje të kontrollohet prania e rriqrave në tërë trupin.