Në qytetin e Gjilanit, punimet e paralajmëruara në dy rrugët kryesore kanë ngecur, pas shkarkimit të drejtorit të shërbimeve publike, Mentor Mihovci shkruan Radio Star.
Banorët dhe bizneset prisnin që punimet të fillonin dje, por kjo nuk ndodhi.
Shkarkimi i papritur i drejtorit Mihovci ka krijuar pasiguri dhe konfuzion në lidhje me vazhdimin e projekteve infrastrukturore. Autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare për arsyet e vonesës apo për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren për të siguruar vijimin e punimeve.
Bizneset në rrugët “Adem Jashari” dhe “Zija Shemsiu” në Gjilan kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me punimet e planifikuara.
Ata theksojnë se nisja e këtyre punimeve do të dëmtojë aktivitetet e tyre dhe do të çojë në humbje financiare.
Sipas pronarëve të bizneseve, ndërhyrjet do të kufizojnë aksesin e klientëve dhe do të ndikojnë negativisht në qarkullimin e mallrave. Ata kërkojnë nga autoritetet lokale të gjejnë zgjidhje alternative për të minimizuar ndikimin negativ dhe për të mbështetur ekonominë lokale gjatë periudhës së punimeve.
Pritet që në ditët në vijim, të jepen informacione të reja nga Komuna e Gjilanit lidhur me këtë çështje dhe për zëvendësimin e drejtorit të ri të shërbimeve publike./Radio Star/