Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli në emër të kreut të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka marr pjesë në takimin me kryetarët e komunave, ministren në detyrë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) Emilija Redzepi dhe ministrin në detyrë të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Arben Vitia.
“Në këtë takim diskutuam për masat e reja pas datës 4 maj si dhe mundësitë eventuale të ndonjë forme të lehtësimit nga këto masa. Komunat e Republikës, në emër të gjithsecilës, por edhe përmes Asociacionit të Komunave, kemi dhënë rekomandimet lidhur me masat lehtësuese. Po ashtu, kërkuam që tashmë, janë pjekur të gjitha kushtet që fshati Vrapçiq i Gjilanit të dal nga karantina për shkak të shërimit të plotë të të prekurve nga ky fshat dhe respektimit të afateve kohore të përcaktuara nga qeveria” , ka thënë Ismajli.
Ai shtoi se po ashtu ka paraqitur kërkesën që një numër i konsiderueshëm i bizneseve të startojnë me punën e tyre, duke i respektuar masat për vetëmbrojtje, pasi që, realisht edhe po shkojmë drejtë përmirësimit të dukshëm të kësaj situate. “Gjithashtu, theksova faktin, që kërkesa e bizneseve nga Gjilani, është që të fillojë puna sa më parë, duke i dhënë rëndësi vazhdimit të respektimit të masave adekuate nga ta”, thotë Ismajli.
Sipas tij, në përgjithësi, edhe qëndrimi i institucioneve qendrore, por edhe atyre lokale, ishte konfirmimi i një hartim plani lidhur me gatishmërinë dhe fillimin e punës në sektorë të caktuar, nëpër qytetet tona.