Trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi, pretendon se ai është themeluesi i skuadrës më të suksesshme në historinë e Ballkanit – e cila shkroi historinë e futbollit kosovar në Evropë nën udhëheqjen e Ilir Dajës këtë sezon – por këmbënguli se është e pakuptimtë për klubet rivale në Superligë të ndihen krenare me arritjet e klubit nga Suhareka.
Munishi ishte afër ta udhëhiqte Ballkanin drejt titullit të parë në Superligë në historinë e klubit gjatë sezonit turbulent 2019/20 për shkak të pandemisë së koronavirusit, para se të shkarkohej në dhjetor 2020 pas një sezoni e gjysmë në krye të skuadrës.
Një sezon më vonë, Ballkani e gëzoi titullin e parë në ligë nën udhëheqjen Ilir Dajës dhe Munishi pretendon se trajneri shqiptar e gjeti një skuadër të ndërtuar nga ai tashmë në Suharekë, duke nxjerrë një krahasim me Barcelonën dhe futbollit e saj mbizotërues të themeluar nga legjenda Johan Cruyff dhe të shfrytëzuar më së miri nga Pep Guardiola gjatë viteve më të suksesshme të klubit 2008-2012.
“Unë jam Cruyffi i Ballkanit. Atje (në Barcelonë) mund të shkojë Guardiola, Mourinho, por Cryuffi jam unë. Unë e kam maru (ndërtuar Ballkanin). Ata mund të defilojnë sa të duan, por në Barcelonë ka mbetur filozofia e Cruyffit. E di si ka qenë në fillim kur kam shkuar, çfarë ka ndodhur më pas. Si nuk më lejuan, si m’i morën, apo kupton?” tha Munishi në Kanal10.
Ballkani u bë klubi i parë kosovar që siguron pjesëmarrjen në një garë evropiane, pasi u kualifikuar në fazën grupore të Ligës së Konferencës në tentimin e parë këtë vit.
Derisa e pranon se suksesi i Ballkanit i bën mirë imazhit të futbollit kosovar, Munishi këmbëngul se ai nuk duhet të favorizohet apo të shihet sikur të ishte Kombëtarja e Kosovës.
“Mirëpo, klubet tona na përmirësojnë imazhin në arenën ndërkombëtare. Më gjithë respektin për të gjitha klubet, ne jemi krenarë vetëm me Kombëtaren, ne nuk mund të jemi krenarë me një klub që unë e kam rival. Ata na e përmirësojnë imazhin, ne iu themi bravo ju qoftë. Ne nuk mund të sillemi krejt liga sikur ata na paskan bërë aq krenarë, sepse ne jemi rivalë. Paramendojeni sikur Barcelona të dal me një deklaratë që Real Madridi e ka bërë krenar që e ka fituar Ligën e Kampionëve”, nënvizoi ai.
Suksesi i Ballkanit në kualifikime dhe pastaj në gazën grupore në Ligën e Konferencës gëzoi përkrahje të paparë në Kosovë dhe shpesh krijohej një ndjesi sikur ai është një ekip i dytë kombëtar për vendin.
Por së fundmi, Prishtina u ankua publikisht pse Federata e Futbollit e shtyu për datë të papërcaktuar ndeshjen e saj me Ballkanin, e paraparë për të dielën më 30 tetor, pasi ky i fundit kishte ndeshje në Evropë tri ditë më herë, të enjten e 27 tetorit.
“Po ku i bën tifozit të Prishtinës për sukseset e tjerëve. Neve krenarë na bënë kombëtarja e Kosovës, Kombëtarja e Shqipërisë. Krejt këto klube na përmirësojnë imazhin në Evropë, por nuk mund të më bëjnë krenar mua si trajneri i Prishtinës. Pse unë të ndihem krenar që ata e mposhtin Clujin”, shtoi Munishi.