Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë do të varet nga situata e pandemisë.
Ai shprehet se janë të gatshëm për fillimin e procesit mësimorë, nëse s’ka ndonjë vendim ndryshe nga institucionet përgjegjëse.
Nëse mbyllen shkollat Jasharaj thotë se do të mobilizohen që mësimi online të jetë sa më i suksesshëm.
“Se si do ta kemi gjysmë vjetorin e dytë varet nga situata që do ta ketë Kosova dhe shtetet tjera nga pandemia dhe varet nga institucioni i cili sjellë vendime në këto raste pra IKSHPK-ja. Ne jemi të përgatitur për të filluar në shkolla, mirëpo nëse IKSHPK-ja vendos ndryshe atëherë do të përpiqemi të mobilizojmë mësimdhënësit që të jemi sa më të suksesshëm sa i përket mësimin online edhe pse do të ketë telashe ngase edhe kësaj radhe mësimdhënësit janë pajisur me mjete të teknologjisë dhe mos të flasim për një numër të nxënësve të cilët kanë mbetur jashtë procesit mësimor ngase mungonin mjetet për të inkuadruar në mësim”, tha ai për EO, transmeton Klan Kosova.
Ai thotë se viti shkollor 2020-2021 është më i vështiri, sidomos për nxënësit që kanë ndjekur mësimin online.
“Ky vit shkollor është nga më të vështirët dhe këto vështirësi do të na përcjellin edhe në gjysmë vjetorin e dytë . mësimdhënësit do të bëjnë të pamundurën që të realizojnë procesin mësimor aq sa munden. Por do të ketë telashe dhe do të shtohen nëse do të jemi të detyruar të kalojmë në mësimin online. Do të jetë shumë e vështirë për atë pjesën e nxënësve që ishin më shumë se 9 mijë që kanë pasur telashe në mësimin online” ka thënë ai.
Kreu i SBASHK-ut tregon se për vitin 2021 synojnë trajnimin e mësimdhënësve dhe zbatimin e plotë të kontratës së punës.