Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, deklaroi se ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka urdhër nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, mos t’i takojë sindikatat, duke e cilësuar të pavërtetë deklaratën e ministres se është e gatshme për t’i takuar ata.
“Ne e dimë se keni urdhër nga kryeministri – dhe jo vetëm ju – që të mos i takoni sindikatat dhe duhet të merrni leje nga ai e ndokush tjetër se kur e me kë të takoheni, por të lutemi mos deklaro para medieve se keni gatishmëri të takoheni me SBASHK-un dhe me të tjerët sepse kjo nuk është e vërtetë”, deklaroi Jasharaj të dielen nëpërmjet një komunikate për shtyp.
Kreu i SBASHK-ut paralajmëroi se më 1 maj 2024 – Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – do të mbahet protestë para objektit të Qeverisë së Kosovës për shkak të “qasjes së keqe” të ekzekutivit kosovar ndaj punëtorëve të arsimit.
“Në qeverisjen tuaj gjërat ndryshuan dhe ju i nderuari kryeministër, por edhe ministrja Nagavci keni qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe kërkesave të tyre legjitime. Tani, si për inat, kolegët nga sindikatat e arsimit të vendeve të rajonit po na lavdërohen me pagat e ngritura vazhdimisht, që dallojnë shumë krahasuar me pagat në Arsimin Parauniversitar të Kosovës”.
SBASHK-u ka mbajtur protesta edhe në kaluarën rreth kërkesave të njëjta. Ata ankohen se s’mund të durojnë shpërfilljen dhe mospranimin e dialogut social, duke përfshirë mosrespektimin e profesionalizimit nga autoritetet.