Bedri Paqarizi kishte mision për vite me radhë sigurinë dhe luftimin e krimit të organizuar në Kosovë. Por, tani e tutje Paqarizi ka mision ekzistencën dhe një jetë krejt ndryshe në mërgim.
Zyrtari policor nga Malisheva kishte plot 22 vite punë në Policinë e Kosovës, ndërsa kërkesën vullnetare për dorëheqje e dorëzoi para pak javësh.
Në kërkesën e siguruar nga Indeksonline thuhet se arsyet janë personale dhe familjare.
“Ka qenë privilegj i madh për mua që të iu shërbej qytetarëve të Republikës së Kosovës për 22 vite. Falënderoj gjithë zyrtarët me të cilët kam bashkëpunuar nga viti 2011 si dhe vlerësimin e punës sime në Polici” ka shkruar ndër të tjera Bedri Paqarizi në letrën e dorëheqjes në këtë institucion.
Indeksonline e ka kontaktuar ish-zyrtarin policor i cili tashmë ka arritur në Itali.
“Jam munduar për vite me radhë të punoj me ndershmëri por e pash se nuk ia vlen. E kam marr këtë vendim për të ardhmen e fëmijëve të mi, edhe pse e di që është një vendim shumë i vështirë për mua. Ka disa ditë që kam ardhur në Itali. Tash do të regjistrohem si azilant dhe më duhet të punoj në ndërtimtari” ka thënë Paqarizi për Indeksonline.
Bedri Paqarizi ishte punonjës në Divizionin kundër Krimit të Organizuar, saktësisht hetues në Drejtorinë e Trafikimit të Qenieve Njerëzore.
Shumë mirënjohje dhe dekorata ka marrë në punën e tij për vite me radhë. Paqarizi nga Malisheva në të kaluarën ishte edhe ish-ushtar i UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut, Brigada 124 “Gani Paçarizi”./Indeksonline/