Ka ndërruar jetë ish-trajneri i njohur i boksit Elmaz Bajrami. Lajmin e kanë bërë të ditur ish-boksierë të cilët i kishte ushtruar ky trajner i njohur, i cili ka lanë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në boksin gjilanas por edhe më gjerë.
Kryelajmi.com kishte zhvilluar një intervistë me të, të cilën e kishte publikuar në prill të vitit të kaluar, të cilën po e ribotojmë.
Ka shkelur në moshën e tretë, por kur flet për sportin ka mbamendjen e një të riu. Me nostalgji kujton kohën kur vetë kishte qenë sportistë e më pas edhe trajner, kurse shpreh habinë se si në sportin që ai ia kushtoi tërë jetën tash po mungojnë kampionët.
Elmaz Bajrami, tash në pension, dikur kishte qenë boksier e më pas trajner nën urdhrat e të cilit dolën shumë boksierë që bënë emër jo vetëm në boksin kosovar, atë të ish-Jugosllavisë, por edhe në mbarë botën.
Sa e sa medalje u morën nga boksierët që ai i ushtroi, nga duart e tija dolën shumë kampionë dhe tashti, trajneri Elmaz Bajrami me nostalgji kujton kohën dhe gjithë ato peripeci nëpër të cilat kaluan shqiptarët dhe boksi në veçanti.
Ai kthen kujtesën kur ishte i ri, sapo kishte mbushur 16 vite, kur në vitin 1961 kishte nisur të merrej me sportin e boksit, për të vazhduar deri në vitin 1973, duke qenë boksier i kategorisë pendël, fillimisht në klubin e atëhershëm të boksit Jedinstvo, që më vonë u pagëzua me emrin Partizani e më pas ky ekip mori emrin shqip Drita.
Elmaz Bajrami, thotë se në vitin 1970 kishte nisur të merrej edhe me zejen e trajnerit, duke marrë edhe licencën dhe ia doli që klubin e boksit Partizan të Gjilanit ta inkuadron në Ligën e Dytë të boksit në ish- Jugosllavi.
Shumë ngjarje kujton ai nga ajo kohë, kujton edhe kohën kur ekipit që ai e kishte bërë kampion iu pamundësua që të inkuadrohej në rang më të lartë të garave, ngase në ish-sistemin socialist boksierët nuk kishin pasur shkollimin dhe biografinë e duhur, andaj ai mori një nismë të re, duke marrë nxënës të shkollave të mesme, me të cilët punoi pa ndërprerë dhe nga të cilët shumë prej tyre dolën kampionë. Mjafton vetëm të përmenden emrat Ismet Haziri, Agim Latifi, Shemsi Kurtalani, Maksut Maksuti, Nazim Halili, Jonuz Pajaziti, Afrim Halimi, Rexhep Jahiu, Mexhit Ramadani e shumë të tjerë, të cilët volën medalje anëekënd botës.
“Ka qenë kohë e artë e boksit jo vetëm në Gjilan por në tërë Kosovën, boksierët e Kosovës në cdo garë evropiane kanë qenë më të mirët ne kemi qenë bërthama e boksit në ish- Jugosllavi këta boksier të gjitha trofetë e mundshme sot i kanë në vitrinat e tyre dhe jam shumë krenar që kam punuar me këta djelmosha dhe ju kam mësuar ABC-në e boksit”, thotë Elmaz Bajrami, që kishte qenë edhe përzgjedhës në ish-Jugosllavi, duke udhëhequr më 1980 boksierët në Kampionatin Ballkanik në Turqi e më pas më 1984 edhe Reprezentacionin e boksit të Jugosllavisë në ish- BRSSS, ku ishin boksierët më të fortë të shteteve komuniste, që shkaku i luftës së ftohtë kishin bojkotuar Lojërat Olimpike që ishin mbajtur në Los Angjelos në SHBA.
Pedagogu i boksit Bajrami me nostalgji kujton punën që ka bërë me dy trajnerët më të njohur jo vetëm të Jugosllavisë por edhe më gjerë Lah Nimanin e Bruno Hrastinskin.
Sot, boksi kosovar dhe ai i rajonit nuk është ai i dikurshmi. Medaljet nga ngjarjet e mëdha të boksit po mungojnë, nuk ka as ligë boksi por vetëm disa turne që nuk janë të mjaftueshëm e Elmaz Bajrami, thotë se me përvojën e tij e di se si mund të arrihet deri te rezultatet.
“ Në mënyrë urgjente duhet të bëhet planprogrami në shtigje të gjata, të formohen shkollat e boksit, të arrihet marrëveshja me ish-boksier të dëshmuar të formohet Liga e Kosovës në Boks rezultatet nuk do të mungojnë, ngase ne jemi kombi më i talentuar në botë në boks, ndërsa kjo nuk po shfrytëzohet sa duhet”, thotë Elmaz Bajrami, i cili ndonëse është në moshë, thotë se është i gatshëm që me këshilla të jap kontributin e tij në avancimin e boksit kosovar, të cilit duhet t’i kthehet nami i dikurshëm.