Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se Ndërmarrja Publike “Dardana” është pajisur me mjete dhe pajisje të reja, me vlerë të përgjithshme prej rreth 40 mijë eurosh.
Sipas Rahimajt, pajisjet janë pjesë e përpjekjeve për zgjerimin e veprimtarisë dhe rritjen e kapaciteteve të ndërmarrjes, me synim ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më efikase për qytetarët.
Në mesin e pajisjeve të reja janë multikultivatorë me pajisje shtesë, mulçerë, plugje, spërkatëse dhe kosë për traktorë, shpërndarëse plehu, cisternë, si dhe një kombi me korpë.
Rahimaj ka theksuar se pajisjet do të lehtësojnë punën e punëtorëve dhe do të mundësojnë zgjerimin e gamës së shërbimeve të ndërmarrjes, përfshirë edhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik.
“Dardana” është ndërmarrje publike e Kamenicës, ndërsa pajisjet e reja tashmë janë vënë në dispozicion të saj.










