Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se është nënshkruar një kontratë e re për asfaltimin e rrugëve lokale, me vlerë prej rreth 860 mijë eurosh.
Sipas njoftimit të Rahimajt, projekti parasheh asfaltimin e gjithsej 53 rrugëve, me gjatësi të përgjithshme prej 6 mijë e 512 metrash.
Punimet do të përfshijnë qytetin e Kamenicës dhe lokalitetet Koretin, Petrit, Topanicë, Busavatë, Berivojcë dhe Hogosht, duke synuar përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit për banorët e këtyre zonave.
Vlera e kontratës është 859.999,98 euro, ndërsa afati i paraparë për realizimin e projektit është 12 muaj.
Sipas njoftimit të kryetarit Rahimaj, nënshkrimit të kontratës i kanë paraprirë përfundimi me sukses i procedurave administrative.
Realizimi i këtij projekti pritet të përmirësojë kushtet e lëvizjes për banorët dhe qasjen në rrugët lokale në zonat e përfshira.










