Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka intensifikuar aktivitetet për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e sigurisë së produkteve, duke realizuar 149 inspektime vetëm gjatë javës së fundit, ku ka shqiptuar 18 gjoba dhe ka ndaluar vendosjen në treg të 16,000 lodrave të pasigurta.
Gjatë javës, inspektorët kanë zhvilluar kontrolle në tregun e brendshëm dhe në zonat doganore, me fokus në sigurinë e produkteve, mbikëqyrjen e çmimeve, cilësinë dhe konformitetin e produkteve, si dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.
Nga gjithsej 149 inspektime, 77 lëndë janë mbyllur, ndërsa 72 kanë mbetur në procedurë, për shkak të kërkesës për dokumentacion shtesë ose nevojës për eliminimin e parregullsive të konstatuara. Brenda këtij aktiviteti janë realizuar edhe 16 ri-inspektime.
Një nga rezultatet më të rëndësishme të javës është ndalimi i 16,000 lodrave të pasigurta “Slime”, pas shtatë inspektimeve të përbashkëta me Doganat e Kosovës, në kuadër të aksioneve të planifikuara me projektin e GIZ-it. Ky veprim synon parandalimin e vendosjes së produkteve të pasigurta në treg dhe mbrojtjen e konsumatorëve, veçanërisht të fëmijëve.
Gjatë kontrolleve, inspektorët kanë shqiptuar 18 gjoba për shkelje të ndryshme ligjore, duke përfshirë mospërputhjen e çmimeve, mungesën e deklaracioneve të produkteve, moskonformitetin e produkteve të ndërtimit dhe mosrespektimin e urdhrave të inspektorëve.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe tregtimit të metaleve të çmuara. Për mungesë të dokumentimit të shenjëzimit të këtyre produkteve janë shqiptuar tetë gjoba, ndërsa janë bllombuar gjithsej 3,892.13 gramë metale të çmuara.
Aktivitetet mbikëqyrëse kanë përfshirë gjithashtu kontrolle në sektorin e naftës dhe derivateve të saj, verifikimin e mjeteve matëse dhe njehsorëve elektrikë, peshën e bukës në furra, produktet e kozmetikës, produktet e ndërtimit dhe udhërrëfyesit turistikë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe veprime konkrete për të parandaluar shkeljet, për të rritur sigurinë e produkteve dhe për të garantuar një treg më transparent dhe më të drejtë për të gjithë konsumatorët.










