Kryetari i Komunë së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se nga e hëna do të fillojë fazën e dytë të reformës në arsim në dy shkolla në “Rexhep Mala” në Topanicë dhe në shkollën “Abdullah Krashnica” në Koretin.
Kastrati tha se nxënësit e të dy shkollave të ciklit të ulët (klasa zero deri në klasën e pestë) mësimin do të vijojnë në shkollën “Abdullah Krashnica” në Koretin, ndërsa ata të ciklit të lartë po ashtu të dy shkollave (klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë) në shkollën “Rexhep Mala” në Topanicë.
Përderisa sipas tij shkolla në Petrovc “Xhelal Sopi” do të bashkohet me shkollën në Dobërçan “Nazim Hikmet”, pas marrëveshjes me Komunën e Gjilanit.
“Sot po vazhdojmë me fazën e dytë të reformës, ku do të përfshihen këto shkolla, “Rexhep Mala” në Topanicë “Abdullah Krashnica” në Koretin. Poashtu kemi bërë marrëveshje me Komunën e Gjilanit që shkolla në Petrovc “Xhelal Sopi” të bashkohet me shkollën në Dobërçan “Nazim Hikmet”. Ashtu siç kemi bërë edhe në fazën e parë ku është vendosur që për secilën klasë të jenë nga 20 nxënës, edhe në këtë fazë do të jetë kështu. Kjo fazë do të përfshijë këto shkolla pasi që është numër i vogël i nxënësve për klasë, ku shkolla në Topanicë ka 143 nxënës, ajo në Koretin 308 nxënës, ndërsa në Petrovc 104 nxënës”, ka thënë Kastrati.
Ai i bëri thirrje prindërve që t’i bashkohen kësaj reforme pasi që sipas tij kjo është në të mirë të nxënësve.