Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se zgjedhjet e reja parlamentare janë opsioni më i qëndrueshëm pas dështimit të votimit të qeverisë.
Sipas KDI-së, situata aktuale reflekton një krizë të zvarritur institucionale dhe polarizim politik që ndikon në funksionimin e institucioneve dhe stabilitetin e vendit.
“Ky rezultat është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së dialogut politik dhe e dështimit për të arritur marrëveshje që do të mundësonin funksionimin normal të institucioneve të vendit”, thuhet në komunikatë.
Instituti shton se, ndonëse procedurat kushtetuese duhet të respektohen, vendi ndodhet “në një bllokadë e polarizim të thellë politik, që tashmë reflektohet në funksionimin e institucioneve, e rrezikon ta cenojë edhe stabilitetin fiskal dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës”.
KDI konsideron se zgjedhjet e parakohshme parlamentare përfaqësojnë opsionin më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për t’i dhënë fund kësaj krize dhe për t’i rikthyer qytetarëve mundësinë për të përcaktuar drejtimin politik të vendit.
Megjithatë, theksohet se as zgjedhjet nuk mund të garantojnë institucione funksionale nëse pas tyre mungon vullneti për konsensus politik dhe të kompromis institucional.
“Është e domosdoshme që forcat politike të reflektojnë mbi përgjegjësinë që mbajnë për stabilitetin e vendit dhe të kontribuojnë në rikthimin e normalitetit institucional, sidomos duke pasur parasysh proceset e rëndësishme të vendimmarrjes institucionale që e presin vendin në muajt e ardhshëm”, thekson organizata.










