Pamje shqetësuese vijnë nga fshati Stanishor, ku pas fundjavës zona ku qytetarët kanë kaluar kohë për grill dhe piknik është lënë e mbushur me mbeturina.
Siç shihet edhe në fotografi, në afërsi të përroit janë hedhur goma të përdorura, dyshekë, pajisje shtëpiake dhe mbeturina të ndryshme plastike, duke ndotur rëndë ambientin dhe duke rrezikuar ekosistemin.
Banorët kërkojnë më shumë ndërgjegjësim nga qytetarët, por edhe reagim nga institucionet përgjegjëse për pastrimin dhe parandalimin e hedhjes së mbeturinave në natyrë.
Ruajtja e mjedisit është përgjegjësi e secilit. Natyra nuk është vendgrumbullim mbeturinash, por pasuri që duhet mbrojtur për brezat që vijnë. Situata e krijuar në Stanishor është një tjetër sinjal se nevojitet më shumë kujdes dhe përgjegjësi nga të gjithë./Radio Star/

