Deputeti shqiptar i Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi, ka treguar se ka marrë kërcënime për shkak të fjalimeve të tij në Kuvendin e Serbisë.
Që nga dita e themelimit të Qeverisë së re në Serbi, deputeti shqiptar i Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka “dridhur” themelet e këtyre dy institucioneve.
Ishte fjalimi i tij i fuqishëm i 28 tetori që tronditi politikanët serbë.
Por, për shkak të këtij fjalimi dhe fjalimeve të tjera në Kuvendin e Serbisë, Kamberi në një intervistë dhënë për lajmi.net, ka thënë se ka marrë kërcënime indirekte nga krerët e shtetit serb.
“A kam pasur kërcënime direkte nga udhëheqësit shtetëror serb? Drejtpërdrejtë jo, por nëse gjithmonë kur paraqiteni në parlament, pasojnë shkrimet e shtypit të verdhë serb që ju cilësojnë si “provokator”, “shkatërrues i shtetit” dhe shumë e shumë epitete tjera, apo kur presidenti i shtetit ju dërgon selam se për “fjalime të tilla në rajon do të burgosej autori”, mund të konsiderohet si një proces i vazhdueshëm i “kërcënimeve” që kanë për qëllim të ndikojnë në paraqitjet tuaja të ardhshme. Por, them se unë bëj punën time, le ta bëjnë ata të veten”, ka theksuar Kamberi për Lajmi.net.