Fadil Ademi, asamblist në Kuvendin Komunal të Gjilanit, po vazhdon të kontribuojë në mënyrë vullnetare në përmirësimin e kushteve për nxënësit në shkollat e Komunës së Gjilanit.
Edhe gjatë kësaj jave, Ademi ka qenë pranë nxënësve në disa institucione arsimore, duke siguruar dhe shpërndarë pajisje e mjete të nevojshme për ta.
Në kuadër të kësaj nisme janë shpërndarë topa për lëndën e Edukatës Fizike në 15 shkolla, ndërsa në shkollat “Skënderbeu” në Përlepnicë, “Thimi Mitko” për parafillorët dhe “Musa Zajmi” janë siguruar aparate për ujë dhe bidona me ujë. Në shkollën “Musa Zajmi” është siguruar edhe një makinë për kositjen e barit.
Topat janë shpërndarë në shkollat: Abaz Ajeti, Mulla Idris Gjilani – Velekincë, Sadulla Brestovci, Selami Hallaqi, Rexhep Elmazi, Musa Zajmi, Thimi Mitko, Llovcë, Bukovik, Përlepnicë, Pogragjë, Bilinicë, Kmetovc, Malishevë dhe Dobërqan.
Sipas Ademit, këto aktivitete realizohen vullnetarisht, me mbështetjen e njerëzve vullnetmirë dhe në bashkëpunim me miq e familjarë.
Një pjesë e donacioneve është bërë falë mbështetjes së MobiCasa – Gjilan, të cilët janë falënderuar për besimin dhe përkrahjen.
Ky aktivitet ngre edhe një pyetje serioze për institucionet përgjegjëse të arsimit: a duhet që nevojat bazë të shkollave dhe nxënësve të mbulohen përmes iniciativave individuale të asamblistëve dhe qytetarëve, apo kjo duhet të jetë përgjegjësi e institucioneve komunale të arsimit?
Ndërkohë që DKA-ja ka përgjegjësi institucionale për funksionimin dhe mbështetjen e shkollave, iniciativa të tilla vullnetare po plotësojnë nevoja konkrete në terren.
Fadil Ademi po dëshmon se edhe jashtë sallës së Kuvendit Komunal mund të bëhet punë konkrete për fëmijët dhe komunitetin.










