Sot është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë së Sportit për realizimin e dy projekteve të rëndësishme sportive: ndërtimin e stadiumit të KF “Studenti” dhe stadiumit sintetik në Dobërçan.
Ky investim paraqet një hap të rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë dhe sportdashësit e komunës sonë, duke kthyer në realitet një nevojë të kahershme të qytetarëve.
KF “Studenti”, klub me mbi 50 vite traditë në futboll, po merr mbështetjen dhe infrastrukturën që e meriton për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të sportit lokal.
Falënderojmë Ministrin e Sportit, Blerim Gashani, për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe Drejtorin për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit, Haki Huruglica, për angazhimin dhe iniciativën në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

