Në mënyrë që opinioni të ketë mundësinë e informimit të drejt dhe objektiv, lidhur me deklaratën e publikuar nga ish-ushtruesi i detyrës së Shefit të Urgjencës së QKMF-së në Gjilan, dr. Leotrim Kurteshi, fillimisht njoftojmë qytetarët dhe të gjithë të interesuarit se i njejti është shkarkuar nga kjo pozitë më datë: 23.07.2024, kryesisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe si rrjedhojë e menaxhimit jo të mirëfilltë të punës nga ana e tij dhe sipas arsyeve më tutje të specifikuara në Vendimin me nr. 04-1551. Ndërkaq, është e cuditshme sesi ish-ushtruesi i detyrës së Shefit të Urgjencës, sot më datë: 25.07.2024, dërgon e-mail me pretendimin se po jep dorëheqje, si dhe më pas publikon deklarata të pavërteta e të paqëndrueshme.
Pikërisht disa javë më parë, stafi i Urgjencës së QKMF-së në Gjilan, ka paralajmëruar protestë e cila është anuluar për shkak se të njejtit janë takuar me kryetarin e komunës dhe kanë paraqitur pakënaqësitë e tyre ndaj mënyrës së menaxhimit të punës nga ana e ish-ushtruesit të detyrës së Shefit të Urgjencës.
Ky i fundit, ka paraqitur përmes e-mailit informacionet e tij për disa ngjarje të fundit në repart, për të cilat i është kërkuar nga ana e Drejtoreshës së Drejtorisë që të ndërmarrë masa të menjëhershme – sepse sipas pozitës që ka ushtruar, ka qenë ligjërisht kompetent për ndërmarrjen e masave të tilla. Menjëherë është mbajtur mbledhje edhe nga ana e Këshillit Drejtues të QKMF-së, për të trajtuar më gjerësisht thëniet e pretenduara.
Për më tepër, menaxhmenti i QKMF-së, ka kontaktuar me familjarët e pacientit të ndjerë të apostrofuar në deklaratë, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë ankesë dhe as nuk do të paraqesin ndonjë ankesë dhe se çdo tendencë për të përdorur rastin e familjarit të tyre për çfarëdo lloj qëllimi – është e prapranueshme. Më tutje, sipas ekipit përgjegjës mjekësor, rasti në fjalë nuk ka qenë rast urgjent, por pacient me gjendje terminale paliative, të diagnostikuar me kancer, të cilit i është dhënë ndihma mjeksore, sepse pacienti ka qenë gjallë kur është vizituar. I njejti veçse ishte liruar nga spitali për shkak se nuk ka pasur shpresë që gjendja e tij shëndetësore të ndryshoj për më mirë.
Për të gjitha këto ekzistojnë prova, dokumente, raporte, shkresa e komunikime në formë të shkruar, prandaj aspak nuk qëndrojnë pretendimet e paraqitura për të ashtuquajturën “heshtje” të udhëheqësve të institucionit apo neglizhencë të trajtimit mjeksor.
Me respekt,
Drejtoria për Shëndetësi dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan