Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se partia e tij ka ofruar dy kompromise për të zgjidhur ngërçin institucional rreth konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, një nga këto kompromise është gatishmëria që kandidatja e propozuar nga LVV të tërhiqet, nëse nuk merr së paku 61 vota në votimin e fshehtë.
“Kandidatja jonë është deklaruar se nëse ajo nuk i merr së paku 61 vota me votim të fshehtë, do të tërhiqet. Ky është një nga dy kompromiset tona”, tha Konjufca në një postim në Facebook.
Ai shtoi se nëse problemi ka qenë emri i Albulena Haxhiut, atëherë ky kompromis duhet të jetë i mjaftueshëm për të ecur përpara.
“Nëse problemi paska qenë te emri i Albulena Haxhiut – siç na është thënë në vazhdimësi – atëherë ky kompromis duhet të jetë i pranueshëm për partitë opozitare dhe kështu të mund të ecim përpara”, shtoi ai.
Kjo deklaratë e Konjufcës vjen pas dështimit të 39-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës.