Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Zërin” ka treguar se duke bërë krahasimin me vendet e Bashkimit Evropian në Kosovë ndodhin dyfish më shumë aksidente në trafik.
“Nëse do t’u referohemi raporteve policore, në mënyrë sistematike është thënë se shkaku kryesor i aksidenteve është shpejtësia tej normave të lejuara ose shkelja e rregullave nga drejtuesit e mjeteve. Çdo vit për çdo një milion banorë në Kosovë raportohen se humbasin jetën në aksidente automobilistike mbi 70 shtetas, ndërkohë që në vendet e Bashkimit Evropian humbasin jetën në aksidente automobilistike 40 deri në 60 shtetas”, ka thënë ai.
Shala ka treguar se vendosja e radarëve dhe e kamerave në rrugë mund të ndikojë në uljen e numrit të madh të aksidenteve.
“Faktori rrugë, cilësia dhe mungesa e sinjalizimit janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve. Gjithashtu shpejtësia dhe përdorimi i alkoolit gjatë ngasjes janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve. Masat që duhen të ndërmerren janë: radarët statikë nëpër rrugët ose nëpër akset kryesore, radarët lëvizës nëpër vetura civile të automjeteve policore, vendosja e kamerave përgjatë autostradës së mbyllur (Arllat – Vermicë ‘Ibrahim Rugova’ dhe ‘Veternik’ – Hani i Elezit ‘Arber Xhaferi’)”, ka theksuar ai.
Ndërsa eksperti i sigurisë, Nol Dedaj, e ka konsideruar si të rëndësishme edhe identifikimin e vendeve të cilat janë të rrezikshme dhe mund të ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve rrugore.
“Masat preventive që duhen marrë janë varësisht prej elementeve të faktorëve, të cilat i kanë shkaktuar aksidentet. Duhet të kemi kujdes të veçantë të identifikimit të vendeve me rrezikshmëri të lartë dhe t’i informojmë pjesëmarrësit në rrugë përmes formave të ndryshme siç janë: përmes fletushkave, radiove, spoteve të ndryshme, pikave fikse dhe mobile të matjeve të shpejtësisë dhe identifikimin e automjeteve teknikisht jo në rregull”, ka thënë ai. Sipas tij, Kosova nuk ka institucione për identifikimin e shkaktarëve të aksidenteve.