Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Evropës është në fatin e Parlamentit dhe Këshillit Evropian.
Qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm drejt vendeve të Evropës vetëm nëse një gjë të tillë e vendos Parlamenti dhe Këshilli Evropian.
Burime të lajmi.net brenda Komisionit Evropian, kanë bërë të ditur se Kosova tashmë i ka plotësuar kriteret që i kishte vënë Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.
“Më 18 korrik të vitit 2018, Komisioni konfirmoi që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, përfshirë dy kërkesat e pazgjidhura më parë: 1. Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe 2. Forcimin e një bilanci në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka bërë të ditur ky burim i besueshëm brenda Komisionit Evropian.
Sipas të njëjtit burim, tani i takon Parlamentit dhe Këshillit Evropian që të miratojnë propozimin e Komisionit Evropian.
“Tani i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit që të miratojnë propozimin e Komisionit për të liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës”.
Po ashtu edhe njohës të çështjeve dhe integrimeve evropiane, kanë bërë të ditur se, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që Bashkimi Evropian kishte vendosur me kohë mirëpo, janë politikat që po i përdor Bashkimi Evropian që po e pamundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve evropiane.
Duhet theksuar se Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk e gëzon lirinë e lëvizjes drejt vendeve evropiane, pavarësisht se ka vite që udhëheqësit shtetërorë kanë dhënë data për liberalizimin e vizave.