Opinion: Nga historia e vitit 1924 te përgjegjësia politike e ditëve tona
Zhvillimet politike në Shqipëri kërkojnë maturi dhe përgjegjësi, veçanërisht kur përfshihen individë apo grupe nga Kosova. Pyetja është e drejtpërdrejtë: çfarë interesi shërben përfshirja në përpjekje për të rrëzuar qeverinë përmes dhunës apo destabilizimit?
Kjo nuk është kritikë ndaj Kosovës apo qytetarëve të saj, por thirrje që lidhjet kombëtare të mos përdoren për përplasje partiake. Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për solidaritet, jo për eksportim konfliktesh politike.
Në dhjetor 1924, Ahmet Zogu u rikthye në pushtet me mbështetjen politike dhe ushtarake të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, duke rrëzuar qeverinë e Fan Nolit. Ky episod tregon se si krizat e brendshme, ambiciet për pushtet dhe interesat e jashtme mund të dëmtojnë pavarësinë politike.
Rrethanat e atëhershme nuk mund të barazohen me të sotmet, por mësimi mbetet i vlefshëm: kur interesat partiake vendosen mbi interesin shtetëror, krijohet hapësirë për ndërhyrje dhe destabilizim. Historia duhet të shërbejë si paralajmërim, dhe këta nga këtej Drini,si i thoshte shkriimtari Agolli, që po yshen në protestat në Tiranë të kujtojnë dyqind bellogardistët me disa cuba të mbledhur rrugës për përmbysur pushtetin e F.Nolit në dhjetor të 1924.
Kosova është shtet i pavarur dhe ka interes që Shqipëria të jetë demokratike, e qëndrueshme dhe e aftë të mbrojë institucionet e saj.
Një Shqipëri e destabilizuar nuk i shërben interesit strategjik të shqiptarëve të Kosovës, ashtu si një Kosovë e dobësuar nuk i shërben Shqipërisë.
Opozita në Shqipëri ka të drejtë të kritikojë qeverinë, të denoncojë korrupsionin dhe të paraqesë alternativa, por jo të përdorë pakënaqësinë qytetare si justifikim për dhunë, shkatërrim prone apo dëmtim të trashëgimisë kulturore. Drejtuesit politikë duhet të distancohen qartë nga aktet e tilla, veçanërisht nga të rinjtë që janë nxitur dhe shfrytëzuar.
Dëmtimi i institucioneve, bankave apo monumenteve nuk është fitore politike. Skenat e llahtarëshme duke demoluar monumentin e “Lahutes së Malcisë”së At Gjergj Fishtës në Lezhë, si dhe djegja e Arkivit Shtetëror në Tiranë, ato duhet të dënohen pa rezervë. Fishta i përket kulturës shqiptare, këto nuk janë të një partie por asete komëtare.
Qeveria, nga ana tjetër, duhet të ruajë rendin, të mbrojë qytetarët dhe të respektojë protestën paqësore, duke vepruar brenda ligjit dhe kushtetutes.
Marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri mbështeten në histori, gjuhë, kulturë dhe interesa të përbashkëta. Pikërisht për këtë arsye, ato nuk duhet të përdoren për qëllime partiake.
Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të shprehin mendime, të kritikojnë dhe të mbështesin ide politike. Por ka dallim mes shprehjes së mendimit dhe imponimit të ndryshimeve përmes dhunës. Asnjë qeveri nuk është mbi kritikën, asnjë opozitë nuk është mbi ligjin dhe asnjë lidhje kombëtare nuk justifikon cenimin e sovranitetit apo rendit kushtetues.
Nëse dikush e do Shqipërinë, duhet të respektojë të drejtën e qytetarëve të saj për të vendosur përmes zgjedhjeve dhe institucioneve se kush i qeverisë.
Shqipëria ka nevojë për institucione të forta, qeverisje të përgjegjshme, opozitë konstruktive dhe protesta paqësore. Kosova ka interes që këto parime të respektohen, sepse stabiliteti demokratik i të dy shteteve është pjesë e së ardhmes së përbashkët.
Pyetja nuk është nëse shqiptarët e Kosovës kanë të drejtë të shprehen për zhvillimet në Shqipëri. Natyrisht që e kanë. Pyetja është nëse kjo e drejtë po përdoret për të nxitur dhunë ose për të ndërhyrë në mënyrë të papërgjegjshme.
Shqipëria nuk ka nevojë për bashibuzukë të rinj apo përplasje të importuara, por për qytetarë që mbrojnë demokracinë dhe politikanë që mbajnë përgjegjësi.
Kosova nuk duhet të bëhet platformë për destabilizimin e Shqipërisë, as Shqipëria fushëbetejë e rivaliteteve partiake. Interesi kombëtar, sovraniteti dhe demokracia janë më të rëndësishme se çdo ambicie për pushtet përmes kaosit.
Selajdin Abdullahu, Gjilan










