Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi bën të ditur se takimi me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak ishte miqësor, i hapur dhe konstruktiv.
Në një konferencë për media, Kransiqi theksoi se temë diskutimi gjatë këtij takimi ishte procesi i dialogut dhe plani evropian.
“Diskutuam për zhvillimet politike në vend, por me theks të veçantë në procesin e dialogut dhe në diskutimin për marrëveshjen e propozuar. Lajçakut ia shpreha edhe njëherë qëndrimin e Partisë Demokraitke të Kosovës, rezervat që i kemi për sa i përket marrëveshjes, për arsye të cilat i kemi diskutuar edhe në të kaluarën. Kemi qenë mbështetës të procesit të dialogut, duke pritur një përfundim që sjell marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë. Ky ka qenë jo vetëm qëndrimi ynë, por edhe qasja e partnerëve ndërkombëtarë”, deklaroi ai.
Sipas tij, PDK-ja e sheh marrëveshjen si të pamjaftueshme e që nuk i adreson problemet e qytetarëve të Kosovës dhe krijon po ashtu edhe shumë pikëpyetje.
Kreu i PDK-së potencoi se përgjegjësia e kryeministrit Albin Kurti është direkte, “për faktin që për dy vite ai e ka humbur mundësinë që vërtetë të arrijë të bind mbështetësit tonë ndërkombëtarë, për të mbështetur në realizimin e qëllimeve tona shtetërore”.