Situata elektroenergjetike është përkeqësuar shumë në Kosovë gjatë dy ditëve të fundit.
KEK-u po prodhon vetëm 250 megavatë në orë energji elektrike, përderisa kërkesa ka arritur në mbi 800 megavatë. Kjo, pasi nga 5 njësitë prodhuese, KEK i ka në prodhim vetëm 2 njësi.
Termocentrali Kosova B që prodhon dy të tretat e energjisë elektrike në Kosovë është komplet jashtë prodhimit.
Siç thonë burimet, njësia B1 është në remont të planifikuar, ndërsa njësia B2 për shkak të disa problemeve, dje ka dalë nga operimi në ora 10:00.
Në situata të tilla zgjidhja është importi. Por, edhe linjat transmetive që menaxhohen nga KOSTT-i janë me kapacitete të kufizuara, sidomos ato nga Maqedonia dhe Mali i Zi. Linja me Shqipërinë tashmë nuk ka kapacitete të lira dhe kjo e bën shumë të vështirë sigurimin e sasisë së nevojshme të energjisë.
Të favorshme nuk janë as çmimet e energjisë elektrike në berzat e rajonit.
Ato po sillen këto ditë nga 150-200 euro për megavatë ku çmimet në berzat në fqinjësi në dy ditët e fundit në orë të pikut kanë qenë mbi 300€/MWh, duke bërë që vendi të importojë miliona euro energji elektrike në pikë të verës.
Sipas KESCO-s, furnizimi me energji elektrike është stabil dhe i pandërprerë për të gjithë konsumatorët, anekënd Kosovës.
Por, ky import i paparashikuar, sipas njohësve të energjisë elektrike mund të ketë impakt në tarifat e ardhshme. Tarifat e rregullta shqyrtohen në pranverën e hershme dhe hyjnë në fuqi nga 1 prilli.
“Nëse prodhimi vendor vazhdon të jetë në nivel të ulët, kërkesa e lartë që shpije der tek nevoja për import më të madh, atëherë rritja e cmimeve të rrymës do të jetë e pashmangshme”, tha një ekspert i energjisë, pa preferuar t’i përmendet emri.
Kosova gjatë këtyre ditëve është përballur me temperatura ektreme dhe kërkesën e ka rritur shumë përdorimi masiv i kondicionerëve për freskim të ambienteve.
Në këto rrethana, gjendja mbetet e rënduar.
Paparaci ka kërkuar sqarime nga KEK-u, mirëpo deri më tani, nuk ka bërë të ditur se kur do të shtohet prodhimi vendor që do ta lehtësonte shumë situatën.