Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Dublin të Irlandës, i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA).
Gjatë fjalës së tij para një audiencë ekspertësh të Europës dhe Ballkanit, si dhe diplomatësh, në një aktivitet me temë “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, kryeministri Rama u shpreh se vendi ndodhet në një moment përcaktues, ku anëtarësimi në familjen europiane është më shumë se kurrë një mundësi reale.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Shqipëria duhet të shfrytëzojë këtë moment historik dhe të bëjë maksimumin për të përmbushur pritshmëritë e vendeve anëtare të BE-së.
Ai nënvizoi se procesi i anëtarësimit mbetet i ndërlikuar, pasi kërkon vendimmarrjen dhe miratimin e të 27 vendeve anëtare, duke përmendur edhe procedurat specifike të ratifikimit në Francë.
Sipas kyeministrit Rama, prioriteti kryesor për Shqipërinë në këtë fazë është mbyllja e kapitujve dhe përfundimi me sukses i negociatave të anëtarësimit.
“Jemi në një moment tejet përcaktues të historisë tonë do të thoja, sepse shohim jo vetëm horizontin që ka qenë kështu gjithmonë, por shohim dhe një derë të hapur si një mundësi reale të vërtetë për të kaluar përtej dhe për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje europiane, është një moment kulmor, që nuk ka ekzistuar deri jo shumë kohë më parë dhe është shndërruar në një moment kulmor në të cilën gjërat që dukeshin të pamundura ngjan sikur duken të mundura dhe shpresojmë që ta kapim këtë moment dhe të mundemi që të kapërcejmë më së fundmi kufirin që na ka ndarë nga europa prej shumë e shumë kohe, dhe më së fundmi të bëhemi pjesë e kësaj familjeje. Kjo është pak a shumë situata siç e shoh unë. Duhet të bëjmë maksimumin që të përmbushin pritshmëritë e palës tjetër dhe sigurisht që Europa ka një proces të ndërlikuar vendimmarrjeje, duhen 27 vende dhe aty ka vende si Franca ku ratifikimi i Traktatit të Anëtarësimit për anëtarët e rinj duhet të marrë 2/3 e Parlamentit. Ajo çfarë është më e rëndësishme është të mbyllim kapitjet dhe të përmbyllim me sukses negociatat. Sot për sot jemi në rrugë të mbarë dhe çdo gjë po ecën sipas rregullave dhe jemi dakord me Komisionin për këtë.“, tha Rama./tv klan










